Editing: /home/permetweb/public_html/permet/indexbackup.php Encoding: Re-open Use Code Editor Close Save Changes Festa dhe Ngjarje
  • al
  • it
  • en

Breadcrumb Navigation

Festa dhe Ngjarje

Festa dhe Ngjarje

Kujdes: hapet në një dritare të re. PDFPrinto

FESTA E VERËRAVE DHE PRODUKTEVE AGROUSHQIMORE TË PËRMETIT

 

Festat  kulturore dhe fetare në rrethin e Përmetit

Data

Vendi

Festa

25 mars

Përmet

Festa e Sulltan Novruzit

14 maj

Piskovë – Ali Postivan

Festa e Ali Postivan

20 maj

Ballaban

Festa e Bektashinjve

21 maj

Piskovë – Lipë

Festa e Shën Elenës

25 maj

Përmet

Dita Naimiane

25 maj

Frashër

Dita e vëllezërve Frashëri

2 -15 qershor

Përmet

Festa e verërave dhe festivalit Multikulturor

20 korrik

Piskovë – Bual

Festa e Shën Ilias

26 korrik

Carshovë – Kanikol

Festa e Shën Pandelimonit

5 shtator

Frashër

Festa e Bektashinjve

21 nëntor

Petran – Bënjë

Festa e Shën Marias

6 dhjetor

Këlcyrë

Festa e ShënKollit

 

 

BASHKIA PERMET

Çdo vit në Përmet organizohet Festa e Verërave, një aktivitet ky që përfshin të gjithë prodhuesit e verës dhe Shoqatat e vreshtarëve të rrethit. Forumi, në bashkëpunim me Bashkinë e Përmetit, Drejtorinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes se Konsumatorit dhe MADA, është një nga organizatorët nismëtarë të këtij aktiviteti që zhvillohet për të reklamuar produktet e zonës dhe promovimin e produkteve tipike lokale. Qëllimi i këtij aktiviteti është që të favorizojë  zhvillimin ekonomiko - social të trevës, nëpërmjet promovimit të sektorit privat për shtimin e prodhimit dhe përmiresimit cilësor të verërave dhe të produkteve agroushqimore tipike. Në këtë aktivitet marrin pjesë jo vetëm prodhues të zonës së Përmetit por edhe prodhues nga gjithë Shqipëria. Në 2009 në bashkëpunim me Oxfam u mundësua ardhja në këtë aktivitet i prodhuesve të verërave nga i gjithë vendi, me këtë rast Përmeti u përfaqësua me 23 prodhues të sektorëvë të ndryshme (vreshtarisë, produktet agroushqimore tipike dhe artizanale).Gjatë këtij evenimenti zhvillohen aktivitete të ndryshme ku përfshihen referimi i kumtesave mbi problematikat që ka vreshtaria dhe prodhimi i verës në tregun shqiptar, konkurse për shpalljen e verërave më cilësore, degustacione, aktivitete artistike e muzikore etj. Një vend të veçantë zë edhe ekspozimi i produkteve të tjera tipike të zonës siç është glikoja, djathi i bardhë, rakia etj.Gjatë kësaj periudhe nga data 2-15 Qershor organizohet nga Bashkia e Përmetit Festivali "Përmeti Multikulturor", ku dalin në pah traditat kulturore të rrethit të Përmetit dhe të rretheve te tjera pjesëmarrës. Në këtë festival marrin pjesë grupe artistike popullore nga trevat e Kosovës, Maqedonisë, Greqisë dhe nga disa rrethe të Shqipërisë si Gjirokastra, Saranda, Korça, Tepelena, Vlora. Më 25 maj Bashkia e Përmetit organizon festën kulturore "Dita Naimiane" në nder të poetit të madh Naim Frashëri. Në këtë festë marrin pjesë shumë poetë nga Përmeti dhe nga rrethet e tjera. Pjesëmarrësit mbajnë kumtesa ne respekt të figurës së poetit të madh. Gjithashtu nxënësit e shkollave të Përmetit recitojnë pjesë nga poemat e shkrimtarit.


Disa momente nga festa e verës

 

 

KOMUNA ÇARSHOVE

Në këtë komunë më e festuar është festa fetare e "Shën Padelimoni” e cila organizohet në datën 26 Korrik. Kjo festë organizohet nga komuniteti i krishterë i zonës (orthodoks) në fshatin Kanikol. Në këtë festë fetare marrin pjesë banorë nga e gjithë komuna e Çarshoves, nga komuna e Petranit dhe nga komunitete të ndryshme fetare (bektashi dhe myslymanë) të zonës. Gjatë festës, përvec ritualeve fetare njerëzit hanë, pijnë, kërcejnë dhe këndojnë.

 

 

PETRAN

Në fshatin Bënjë në datën 21 nëntor në kishën e Bënjës festohet festa fetare "Shën Maria e Bënjës". Në këtë festë merr pjesë i gjithë komuniteti orthodoks i zonës nga komuna e Çarshovës, Petranit, Piskovës dhe nga qyteti i Përmetit. Karakteristike e kësaj feste është se besimtaret mblidhen në mesnatë në kishë dhe sipas gojedhanes degjohet zhurma e vizitori te "padukshem".

 

 

KOMUNA PISKOVE

Në këtë komunë festat fetare janë të ndërthurura me njëra-tjetrën, si ato të fesë myslymane ashtu edhe të fesë ortodokse. Konkretisht, në datën 14 Maj nga komuniteti bektashi, në teqenë e fshatit Alipostivan, festohet festa e bektashinjve. Të gjithë besimtarët bektashi shkojnë herët në mëngjes, kryejnë ritualet fetare, bëjnë kurban dhe festojnë deri vonë. Gjithashtu në këtë komunë festohet nga komuniteti orthodoks festa "Shën Maria e Kosinës". Marrin pjesë shumë besimtarë nga komuna e Piskovës, Petranit, Këlcyrës si edhe besimtarë nga qyteti i Përmetit.

 

21 Maj – Festa e Shën Elenës dhe Kostandinit (mbrojtësit e Lipës)

 


Momente lutjesh dhe meditimesh

Festa e Shenjtorëve Elena dhe Konstandin zhvillohet në një vend të shenjtë, i vendosur në një pjesë shkëmbore të malit Dhëmbel mbi fshatin Lipë. Frekuentimet e para të vendit datojnë rreth vitit 1600, por kisha që ishte më parë në këtë vend u shkatërrua në 1967 nga regjimi komunist, pasi u shpall ateist. Por besimtarët vazhduan ta frekuentonin në mënyrë të fshehtë këtë vend. Në 1999, kur regjimi komunist kishte mëse një dekadë që kishte rënë, fshatarët vendosën të rindërtonin kishën në një vend më të përshtatshëm, duke qenë se në të shkuarën ajo ishte e vendosur në një vend të thyer dhe shkëmbor. Megjithatë banorët hoqën dorë nga ky projekt pasi një dritë e çuditshme shfaqej në vendin ku kisha egzistonte fillimisht. Prandaj, të udhëhequr nga drita e Shën Elenës, ata rindërtuan kishën në të njëjtin vend ku ishte shkatërruar dekada më parë.

 

 


Veçanti të  ngjarjes:
•    mbajtja e meshës në natyrë;
•    shpërndarja e bukës së bekuar.

Veçoritë e vendit:
•    uji i shenjtë që pikon, në çdo ditë të vitit, nga një lartësi prej rreth 20 metra nga maja e një shkëmbi të dalë, i mbiquajtur shkëmbi i Shën Elenës;
•    zakoni i banorëve të Lipës për të shkuar në vendin e shenjtë një ditë para festës për të kaluar natën dhe për t’u marrë me detajet e organizimit.
 


Mbledhja e ujit të shenjtë

Mëngjesorja fillon në 8:15 të mëngjesit e ndjekur nga mesha që kremtohet nga prifti i fshatit e cila mbaron rreth orës 10:15. Pas meshës, prifti fton besimtarët të marrin bekimin me një ritual të veçantë. Gjithashtu gjatë ceremonisë, të pranishmëve që mbajnë emrat e Elenës dhe Konstandinit, u shpërndahen lule të bekuara. Pjesëmarrja e banorëve të rrethit të Permetit është masive, por nuk mungojnë edhe pelegrinë nga qytetet e tjera të Shqipërisë dhe gjithashtu shumë të rinj. E veçantë është pjesëmarrja e besimtarëve të feve të tjera. Për të arritur në kishë rruga kalon në fshatin e vjetër të Lipës të ndërtuar me gurë (deri këtu rruga mund të bëhet edhe me makinë pastaj është e nevojshme të vazhdohet në këmbë). Por shumë të rinj preferojnë të nisen herët dhe ta bëjnë të gjithë rrugën në këmbë. Nga ora 6:00 deri në orën 8:00 të mëngjesit, Bashkia e Përmetit vë në dispozicion automjete falas nga Përmeti për në Lipë, pastaj nga këtu e tutje vazhdohet në këmbë përmes rrugicave të  fshatit. Në të dalë të fshatit ndodhet një burim i vogël me ujë të freskët, ku pelegrinët ndalojnë për t’u freskuar dhe për të mbushur ujë. Duke u ngjitur gjithnjë e më lart mund të shijohen pamje të bukura të luginës së lumit Vjosa dhe të qytetit. Pas kthimit nga mali, banorët e Lipës u ofrojnë për të pirë pelegrinëve në oborret e shtëpive të tyre duke festuar kështu së bashku. Një besim i vjetër tregon se gratë që hanë bajame nga pema që ndodhet mbi kishë marrin dhuratën e lindshmërisë.

Koha e duhur:
•    rreth 15 minuta me makinë nga Përmeti në Lipë + 1 orë në këmbë nga Lipa në kishë;
•    rreth 2 orë në këmbë nga Përmeti në kishë.

Vështirësia e udhëtimit: normale

 

KOMUNA FRASHER

Në këtë komunë çdo vit në datën 25 Maj organizohet një festë e madhe kulturore për nder të vëllezërve Frashëri. Kjo datë i kushtohet datëlindjes së rilindasit dhe poetit të madh Naim Frashëri (25 Maj 1846). Në këtë ditë kujtohen edhe të tjerë patriotë si vëllezërit Abdyl dhe Sami Frashëri, Mithat Frashëri, Lidhja e Prizrenit etj. Në këtë festë ka një pjesëmarrje të gjerë si nga  Përmetit ashtu edhe nga zonat përreth, Pushteti Vendor si edhe nga Pushteti Qëndror (Ministria e Kulturës, Lidhja e Shkrimtarëve, deputetë etj).

 

25 Maj – Festa e vëllezërve Frashëri

 


Një moment feste

Festa kulturore, për nder të vëllezërve Frashëri, kthyer tashmë në festë mbarë kombëtare organizohet çdo vit në fshatin nga i cili ata kane marre edhe mbiemrin. Manifestimi zhvillohet në lëndinën para shtëpisë ku ata lindën dhe u rritën. Rreth 40 vjet më parë u vendos që kjo shtëpi të kthehej në muze në mënyrë që çdokush të ketë mundësinë ta vizitojë për të krijuar idenë se si jetonte familja Frashëri. Fshati Frashër rrethohet nga peisazhet e bukura të kodrave e maleve të Kokojkës, Miçanit dhe Golikut.
Rruga për në fshat është e shtruar me çakull, mund të përshkohet nga çdo lloj automjeti por jo në periudhën e dimrit. Rruga shoqërohet nga panorama të ndryshme të disa fshatrave të vegjël të ndërtuar me gurë dhe me në sfond bukuritë e malit të Dhëmbelit. Disa kilometra përpara mbërritjes në Frashër kalohet përmes parkut kombëtar “Bredhi i Hotovës” që konsiderohet mushkëria natyrale e Jugut të Shqipërisë. Ky park gëzon shumëllojshmëri në bimë e kafshë të egra.


Veçanti të ngjarjes:
•    pjesmarrje aktive e të rinjve;
•    spostimi i manifestimit nga Shtëpia Muze në Teqenë e Baba Nasibiut dhe Baba Alushit;
•    pjesmarrja e shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë.

Veçoritë e vendit:
•    stacioni pyjores që është një ndërtesë dy katëshe karakteristike me gurë;
•    vend pushimi me burim ujë të freskët në rrugën gjatë parkut kombëtar “Bredhi i Hotovës”.
 


Konferenca shkencore në Teqe

25 Maji është në të vërtetë dita e lindjes (25.05.1846) së njërit prej vëllezërve, poetit të madh rilindas, Naimit. Në këtë datë kujtohen dhe dy vëllezërit e tij, Abdyl dhe Sami Frashëri, të shquar për kontributin që i dhanë lëvizjes kombëtare për njohjen e pavarsisë së vendit. Pjesëmarrësit vijnë si nga rrethi i Përmetit por edhe nga zona të tjera të Shqipërisë, nuk mungojnë këtu asnjëherë pjesëmarrësit e shumtë nga Kosova e Maqedonia. Të ftuar janë edhe autoritete nga pushteti vendor dhe ai qëndror, poetë të njohur, profesorë, studentë etj. Në lëndinën e shtëpisë Muze, me në sfond bustet madhështorë të tre vëllezërve Frashëri, të ftuarit kujtojnë jetën, veprimtarinë dhe kontributin e madh dhënë Shqipërisë gjatë periudhës së rilindjes. Më pas studentë të shkollave nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia recitojnë e lexojnë disa nga veprat e shumta letrare të rilindasve, lënë si pasuri të paçmueshme gjithë popullit. Prezantohen edhe vepra të tjera, shkruar nga autorë shqiptarë e të huaj, kushtuar ndër dekada familjes Frashëri. Vazhdohet me vizitën interesante në ambientet e brendshme të shtëpisë muze ku është e mundur të lexohen  stendat me dorëshkrime në persisht dhe osmanishte të Naimit, bustet në allçi të të tre vëllezërve, fotografi familjare dhe piktura ku disa prej tyre tregojnë ngjarje historike të ndikuara prej vëllezërve. Në mjediset e Teqesë historike të Frashërit, e pikërisht në sallën e rikonstruktuar, ku Abdyl Frashëri mblodhi Kuvendin  e Degës së Lidhjes së Prizrenit për Shqipërinë  e Jugut, organizohet Konferenca Shkencore. Këngët dhe vallet tipike të zonës kurorëzojnë këtë atmosferë të veçantë.
Koha e duhur:
•    rreth  1 orë e 40’ minuta me makinë nga Përmeti, distanca 40 km;
Vështirësia e udhëtimit: normale.

Share this post

  • 19.06.13

    Tre giorni ricchi di appuntamenti, eventi e iniziative per raccontare Lexo më shumë...